Ecuria e kuqezinjve në kampionatet e tyre respektive po tregon gjithmonë e më shumë se forma e shumë shqiptarëve është në rritje dhe se kontingjenti i atyre që meritojnë Kombëtaren është shtuar ndjeshëm. Dje, pogradecari Endri Çekiçi ka vijuar paraqitjet pozitive duke i kurorëzuar edhe me një tjetër gol dhe një tjetër perlë prej tij duke i dërguar kështu një sinjal të qartë trajnerit Reja se është gati për të marrë ftesën në Kombëtare.

 

Endri Çekiçi ka gjetur veten. Transferimi nga Kroacia në Slloveni ka qenë një nga goditjet e karrierës së tij, teksa Olimpia Lubjana i ka dhënë mundësinë futbollistit kuqezi të shpërthejë me asiste dhe me gola. Një javë më parë, shqiptari ishte autor i një eurogoli të realizuar nga  distanca. Si për të mos e quajtur aspak koençidencë, Endri Çekiçi e ka përsëritur edhe dje.

 

Në fitoren 1-4 në transfertë ndaj Domzhales, Çekiçi realizoi golin e dytë në minutën e 32-të të ndeshjes. Një top i krosuar në zonë dhe më pas një nga shokët e tij e fton me një pasim. Zona e tejmbushur me futbollistë, por shqiptari e ka zgjidhjen. Silurë me të majtën dhe sfera përfundon në rrjetë, duke mos i dhënë asnjë shans portierit të reagojë. Festë më se e ligjshme, teksa me atë realizim, Çekiçi numëron pesë gola deri më tani.

 

Katër në kampionat, në tetë ndeshje dhe një të shënuar në Kupat e Europës. Nëse deri më tani trajneri Edoardo Reja përmendi edhe justifikimin se nuk e njihte mirë, me këto sinjale që Çekiçi i ka dhënë, ftesa drejt Sllovenisë për ish-sulmuesin e Kombëtares U-21 do të jetë veçse një detyrim.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *