Një tjetër rast i shpërndarjes dhe shitjes të lëndëve narkotike është goditur nga Antidroga e Tiranës.
Këto janë pamjet kur agjentët e policisë arrestojnë 52-vjeçarin Afrim Meça, nga Kruja, i cili po transportonte lëndë narkotike me qëllim shitjen e tyre kryesisht në Tiranë.
Sipas bluve, operacioni u zhvillua në fshatin Luz, ku agjentët e Antidrogës ndaluan automjetin e 52-vjeçarit dhe gjatë kontrollit zbuluan 6 thasë me Cannabis Sativa, me peshë totale 60 kilogramë.
Droga e sekuestruar, me vlerë rreth 60 mijë euro, ishte destinuar për t’u shpërndarë në doza të vogla në Krujë dhe Tiranë. Kryesisht në Tiranë do të shitej në zona të ndryshme si në Ish-Bllok, zona e ish-Parkut në Fresk etj.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi lëndën narkotike, automjetin dhe një aparat celular, ndërsa 52-vjeçari u mor në pyetje për zbulimin e plotë të anëtarëve të tjerë të grupit.
Nga hetimet paraprake, dyshohet se kanabisi ishte kultivuar në zonat malore të Krujës, zona që prej kohësh janë në vëzhgim për aktivitet kriminal të lidhur me drogën.
Agjentët e Antidrogës po punojnë për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.





