EMRI/ Plagosi rëndë të riun pas një konflikti, arrestohet 25 vjeçari në Durrës

Një 25-vjeçar është arrestuar këtë të diel nga policia e Durrësit.
Ai akuzohet se plagosi rëndë me sende të forta një shtetas, gjatë një konflikti të çastit.
25-vjeçari i arrestuar është identifikuar si Kristo Domi.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas marrjes së njoftimit për një konflikt fizik midis dy shtetasve, në lagjen nr. 14, Durrës, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Pas veprimeve të shpejta, u bë e mundur identifikimi i autorit të dyshuar, kapja dhe shoqërimi i tij në Komisariatin e Policisë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin K. D., 25 vjeç, banues në Durrës.
Ky shtetas ishte konfliktuar në rrugë, në lagjen nr. 14, për motive të dobëta, me shtetasin G. M., i cili gjatë konfliktit ka pësuar dëmtime në kokë dhe pas trajtimit mjekësor në Spitalin Rajonal Durrës, është transportuar për mjekim të specializuar në Spitalin Universitar të Traumës, në Tiranë.
Materialet procedurale do të referohen në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje’”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv




