EMRI/ Kapet në flagrancë duke u kujdesur për kanabisin, arrestohet 45-vjeçari në Lezhë
Policia e Lezhës ka goditur një tjetër rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, në kuadër të operacionit të përhershëm antikanabis të koduar “Koordinata”.
Gjatë kontrolleve në territor, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë zbuluan një parcelë me 150 bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa, në fshatin Berzanë, Njësia Administrative Zejmen.
Bimët u asgjësuan me anë të djegies, ndërsa një pjesë e tyre u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vendin e ngjarjes, policia arrestoi në flagrancë shtetasin Zef Kola, 45 vjeç, banues në fshatin Berzanë, i cili u kap teksa po kujdesej për bimët narkotike.
Ai akuzohet për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Policia bën me dije se po vijon puna për dokumentimin e plotë të rastit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Operacioni “Koordinata” do të vijojë në të gjithë territorin e vendit, me qëllim parandalimin dhe goditjen e kultivimit të lëndëve narkotike.
/vizionplus.tv




