Kryetarja e kuvendit ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha për interpelancë me kryeministrin Edi Rama në lidhje me pretendimet e opozitës se të afërm të shefit të qeverisë kanë përfituar tendera publike.
Ky vendim i kryeparlamentares Nikolla është shoqëruar me debate në seancë plenare, pasi demokratët këmbëngulën që kushtetuta e rregullorja garantojnë të drejtën e realizimit të interpelancës
“Nuk ja ka dhënë gjykata të drejtën zotërinë në fjalë. Dihet botërisht se Berishës i është ndaluar pjesëmarrja në parlament me vendim gjykate”, tha Ermonela Felaj.
“Kush është ai vendim gjykate që ja ndalon të ushtrojë të drejtën e deputetit. Nuk ka, ju gënjeni. Jeni ju qe po i ndaloni Sali Berishës te vije ne parlament”, u shpreh Albana Vokshi.
Kërkesa e kryetarit të Partisë Demokratike Sali Berisha për interpelancë me kryeministrin Edi Rama bëhet 9 ditë para se të mbushen 6 muaj nga hera e fundit që lideri i opozitës ka qenë në parlament. Sipas kushtetutës një deputet e humbet mandatin kur mungon në parlament 6 muaj pa arsye dhe në 21 qershor bëhen 6 muaj që lideri i opozitës nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e kuvendit pasi gjykata ka vendosur ndaj tij masën e sigurisë arrest në shtëpi. Për shumë juristë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk e humbet mandatin, pasi mungesa e tij është mungesë me arsye dhe për më tepër ai vetë i ka kërkuar leje prokurorisë për të shkuar në parlament. Megjithatë mbetet për tu parë se çfarë do të vendosë kryetarja e kuvendit Lindita Nikolla në 21 qershor për liderin e opozitës Sali Berisha. /vizionplus.tv





