Një 35 vjeçar në Durrës, i shpallur në kërkim, është kapur këtë të premte në flagrancë duke shitur lëndë narkotike.
I riu, akuzohej nga Gjykata, për të njëjtën veprimtari kriminale. 35-vjeçari është identifikuar si Aldo Dhimitri.
Gjithashtu janë sekuestruar dhjetëra doza kanabisi dhe një peshore elektronike, që u gjetën në banesën e tij.
“Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për një rast të shitjes së lëndëve narkotike në qytetin e Durrësit, Sektori për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Seventeen”.
Gjatë operacionit u kap në flagrancë dhe u ndalua shtetasi A. Dh., 35 vjeç, banues në Durrës, i cili ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Durrësit, në vitin 2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Pas kapjes së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e tij, gjetën doza të lëndës së dyshuar narkotike kanabis, gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me një peshore elektronike dhe një celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim. /vizionplus.tv





