Një person është arratisur nga burgu i Durrësit gjatë shoqërimit në spitalin rajolan për të kryer disa vizita mjekësore. Burime për Vizion Plus bëjnë me dije se bëhet fjalë për të paraburgosurin Altin Ndoci.
Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte dërguar për kryerjen e vizitave mjekësore.
Lexo edhe :
Related Posts
Procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili disponon një sektor të posaçëm sigurie për të dënuarit dhe të paraburgosurit.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të forcave të Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Ndoci ka arritur të largohet nga spitali.
Autoritetet bëjnë me dije se strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e të arratisurit, si edhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
“I paraburgosuri Altin Ndoci është larguar nga ambientet e Spitalit Rajonal të Durrësit, ku ishte shoqëruar për kryerjen e vizitave mjekësore. Të gjitha procedurat mjekësore janë zhvilluar në repartin e infektivit, i cili ka repartin e sigurisë për të dënuarit.
Pavarësisht ndërhyrrjes së menjëhershme nga forcat e Policisë së Burgjeve për ndalimin e tij, Altin Ndoci ka arritur të largohet nga spitali. Strukturat përkatëse janë vënë menjëherë në lëvizje dhe po punohet intensivisht për lokalizimin dhe kapjen e tij, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, thuhet në deklaratën paraprake të Burgjeve.
Kush është Altin Ndoci
Ai njihet për një seri arrestimesh dhe hetimesh për trafik droge, grabitje dhe vrasje në Durrës dhe Fier.
Ndoci u bë i njohur për publikun pas rrëfimit të një bashkëpunëtori të policisë, i cili zbuloi lidhjet e tij në vrasjen e dy vëllezërve Haxhia në Durrës dhe ekzekutimin e dy personave të tjerë më 2 mars 2020, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdia.
Sipas policisë, Altin Ndoci ka lidhje të ngushta me grupet kriminale të zonës së Pukës dhe është shoqërisht i lidhur me persona të tjerë të njohur për krime të rënda, si Arben Muço, i arrestuar në tentativë grabitjeje me armë në Fier më 2018.
Ai dyshohet gjithashtu të ketë marrë pjesë në ngjarje ku mbeti i vrarë Xhuljan Sollaku dhe u plagos Muço, ndërsa pjesëtarët e tjerë të grupit shpëtuan.
Gjatë hetimeve, policia ka sekuestruar prova që lidhen me rrjetin e tij kriminal, duke përfshirë makina të braktisura, gjurmë gishtash dhe njolla gjaku, të cilat lidhën Ndocin me disa nga ngjarjet e dhunshme në qytetet e Durrësit dhe Tiranës.






