EMRAT/ Akuzohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, AMP pezullon nga detyra 3 policë

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Elbasan-Korçë) ka zbatuar urdhrin e Prokurorisë për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Pezullimi i ushtrimit të një detyre ose funksioni publik”, ndaj 3 punonjësve të policisë, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikim i dokumentave” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Policët e pezulluar janë:
N/Komisar Ilirjan Turtulli, me detyrë Specialist Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;
Inspektor Kudret Latollari, me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë;
Inspektor Fatos Ismailaj, me detyrë Trupë Shërbimi në Stacionin e Policisë Kufitare Pogradec, në DVKM Korçë
Vendimi i gjykatës, erdhi mbi bazën e materialeve të referuara nga Drejtoria Rajonale e AMP-së Korçë, pas dyshimeve të arsyeshme se këta punonjës policie, edhe pse kanë konstatuar më datë 28.12.2024 shtetasit E.P. dhe L.E. duke kryer peshkim të ndaluar në liqenin e Ohrit, me veprime dhe mosveprime, kanë favorizuar aktivitetin e kundraligjshëm të këtyre shtetasve, me dyshime përfitimi. /vizionplus.tv




