Tre persona, me origjinë shqiptare, pjesë e një rrjeti me bazë në Londër, që kontrabandonte emigrantë, janë dënuar nga drejtësia britanike.
Ata akuzohen se organizonin futjen e paligjshme të njerëzve në Mbretërinë e Bashkuar kundrejt pagesës prej 11 mijë paundësh për person.
Sipas hetimeve të policisë metropolitane të Londrës, rrjeti përdorte kamionë të mëdhenj (HGV) për të transportuar emigrantët, të cilët futeshin në territorin britanik në mënyrë të fshehtë.
Autoritetet zbuluan pamje filmike dhe prova të shumta që dokumentonin aktivitetin e grupit, ndërsa përmes përgjimeve dhe analizës së telefonave u evidentuan komunikime mes organizatorëve dhe drejtuesve të kamionëve për koordinimin e pikave të takimit dhe transportit.
Hetimet treguan se të paktën 20 shtetas shqiptarë janë futur në Londër ilegalisht gjatë 18 muajve të fundit, megjithëse dyshohet se numri real mund të jetë më i lartë.
Tre të pandehurit u arrestuan në qershor 2025 dhe, pas një procesi gjyqësor që zgjati shtatë javë, u shpallën fajtorë.
Në vendimin e dhënë më 27 mars, gjykata dënoi:
Toni Liko, 42 vjeç, me 5 vite e 8 muaj burg
Klement Gjika, 44 vjeç, me 5 vite e 8 muaj burg
Stelian Bodnariu, 37 vjeç, me 3 vite e 4 muaj burg./vizionplus.tv





