Qeveria italiane ka miratuar këtë të premte një dekret të ri që lejon transferimin e emigrantëve të parregullt nga qendrat e ndalimit në Itali drejt qendrave që janë ngritur në vendin tonë.
Në qendrat në Shqipëri do të dërgohen edhe persona të ndaluar në Itali për t’u riatdhesuar dhe jo vetëm kërkuesit e azilit nga vende të sigurta që nuk kanë prekur kurrë territorin europian.
Këshilli i Ministrave ka identifikuar këtë zgjidhje për të përdorur strukturat që kanë mbetur ende bosh pas përpjekjeve të përsëritura të qeverisë për të zhvendosur atje emigrantët e parregullt.
Nuk është ende e qartë nëse ky ndryshim nga ana e qeverisë italiane bie apo jo ndesh me marrëveshjen dypalëshe të firmosur me Shqipërinë, e cila parashikon që në kampet e Gjadrit dhe Shëngjinit të qëndrojnë përkohësisht vetëm emigrantë në pritje të azilit politik, dhe jo emigrantë që tashmë janë në pritje të dëbimit.
Vendimet e gjykatës së Romës dhe shqetësimi për shkeljen e të drejtave të njeriut ishin bërë pengesë në të gjitha herët e kaluara kur autoritetet italiane sollën emigrantë në Shqipëri.
Të gjithë ata që erdhën u kthyen sërish vetëm në pak ditë qëndrimi.
/vizionplus.tv





