Merr fund pritja e emigrantëve shqiptarë që ishin bllokuar prej ditësh në tokën neutrale në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Burime të siguruara pranë Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit bënë me dije se 40 shtetasit shqiptarë do të karantinohen në një prej hoteleve të Bilishtit, por nuk përjashtohet mundësia që këaë shtetas të karantinohen në një hotel afër pikës së kalimit kufitar të Kapshticës.

 

Sipas të njëjtit burim, mësohet se mes shqiptarëve që janë bllokuar në kufi ditën e premte ndodhen edhe 15 shtetas që disponojnë dokumente si rezidentë të përhershëm në vendin fqinj. Për këta shtetas sipas burimeve zyrtare ka dy rrugë, e para të rikthehen në shtetin grek në banesat e tyre dhe e dyta karantinim prej 14 ditësh me 25 shtetasit e tjerë.

 

Hoteli ku do të akomodohen dhe do të shërbejë si pikë karantinimi për të gjithë emigrantët që kanë qënë prej pesë ditësh në tokë neutrale do të mbikqyret 24 orë në të gjitha ditët e karantinimit nga forcat e policisë së rendit me qëllim mosthyerjen e izolimit. Kryeministri ka bërë me dije më herët se shërbimet hoteliere do të mbulohen nga vetë shtetasit.

 

Por nga ana tjetër një grup shqiptarësh nga diaspora janë treguar të gatshëm për të mbuluar shpenzimet e karantinimit. Me përfundimin e kësaj situate, burimet zyrtare bëjnë me dije se kufiri mbetet i hapur vetëm për ata persona që kanë një leje të posaçme nga konsullatat apo ambasadat e vendeve ku do të shkojnë dhe për shtetasit që kanë lejeqëndrimi të përhershme në shtetin grek.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *