Komandanti i Forcës Tokësore të SHBA për Evropën gjenerallejtënant Ben Hodges, u prit në një takim nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura gjeneralmajor Jeronim Bazo. Pas takimit Bazo tha se informoi homologun e tij mbi punën e forcave të armatosura shqiptare, por edhe rritjen e masave ne kufi për valën e emigrantëve.
Jeronim Bazo:
E sigurova Gjeneral Hodges, se Shqipëria po ndjek me kujdesin e duhur zhvillimet në mjedisin e sigurisë dhe në mënyrë të veçantë ato kufijtë lindorë dhe jugor të Aleancës dhe se Forcat e Armatosura të Shqipërisë, në mundësitë e burimeve të tyre, janë aktive me kontribute dhe në masa në kuadër të Planit të Gatishmërisë së Aleancës – ndryshe i quajtur Readiness Action Plan. Gjithashtu e informova mikun tim edhe me kujdesin e shtuar nga ana jonë për implikimet që mund të sjellin zhvillimet në kufijtë jugor të Aleancës (vala e emigrantëve).
Nga ana e tij Hodges tha se mbështet ushtrinë shqiptare ndërkohë që shprehu lidhjen e fortë që ekziston mes vendeve anëtare të NATO-s.
Ben Hodges:
Mjedisi i sigurisë ka ndryshuar shumë kohët e fundit në Evropë. Kemi rastin e ekstremizmit islamik që është përhapur gjithandej, sidomos nga vendet me origjinë nga Afrika si dhe kemi krizën tragjike të refugjatëve që është aktuale dhe po ashtu dhe invazioni rus dhe pushtimi i Krimesë nga ana e saj e ka ndryshuar shumë mjedisin atje. Si rrjedhojë NATO, e cila është aleanca më e madhe në botë, është dashur të përshtatet me këto ndryshime të mëdha. Qendra e rëndesës e NATO-s është lidhja e fortë ndërmjet të gjithë anëtarëve të saj. Qëllimi kryesor i vizitës time në Shqipëri ishte forcimi i mëtejshëm i kësaj lidhjeje të fortë ndërmjet Shqipërisë dhe SHBA si dy vende anëtare të NATO.
Gjenerali amerikan u prit ne një takim te veçante edhe nga zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi.