Një moment historik për futbollin shqiptar. Elena Sadiku është mes 5 finalisteve për çmimin “Trajneri më i Mirë” në futbollin e femrave, në ceremoninë e Topit të Artë.
Sadiku është e vetmja trajnere femër në listën e finalistëve, ndërsa përballë saj janë Jonatan Gireldez, Andrée Jeglertz, Nils Nielsen dhe Pere Romeu.
Trajnerja me origjinë shqiptare siguroi vendin mes më të mirave falë suksesit historik me Celtic.
Që prej marrjes së drejtimit në janar 2024, Sadiku udhëhoqi skuadrën drejt titullit të parë kampion në Scottish Women’s Premier League, të fituar në mënyrë dramatike në javën e fundit të sezonit.
Një arritje që tashmë e ka vendosur emrin e Elena Sadikut në elitën e futbollit europian të femrave.





