Elbasan/ Shoferi ndalohet nga policia, por përfundon në spital, gëlltiti lëndën narkotike (EMRI)

Një incident i pazakontë është shënuar më 27 shtator 2025 në aksin rrugor “Bradashesh–Elbasan”, ku një automjet me xhama të zinj u ndalua nga shërbimet e Qarkullimit Rrugor për kontroll. Drejtuesi i mjetit, shtetasi Emiljano Merkja, 37 vjeç, fillimisht ndaloi makinën, por më pas refuzoi të dorëzojë dokumentacionin e kërkuar nga efektivët e policisë.
Pas mosbindjes, ai u shoqërua në Komisariat për verifikime të mëtejshme. Gjatë procedurave në ambientet e Policisë, 37-vjeçari shfaqi probleme shëndetësore dhe u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjekësore.
Burime zyrtare bëjnë me dije se dyshohet paraprakisht se shtetasi Merkja ka gëlltitur një sasi lënde të dyshuar narkotike. Aktualisht, ai ndodhet nën kujdesin e mjekëve dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja po hetohet nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit. Materialet për rastin janë referuar për vlerësim.
/vizionplus.tv




