Një konflikt i çastit në lagjen “Shënkoll” të qytetit të Elbasanit ka përfunduar me plagosjen e një 67-vjeçari me mjet prerës (thikë). Ngjarja ndodhi ditën e djeshme, ndërsa ndërhyrja e menjëhershme dhe profesionale e Policisë ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të dhunës dhe ka çuar në arrestimin e autorit të dyshuar.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit, janë paraqitur menjëherë në vendngjarje dhe kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Xh. S., 29 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake, Xh. S. dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin S. A., 67 vjeç, e ka goditur këtë të fundit me thikë. I plagosuri ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Ndaj 29-vjeçarit rëndojnë akuzat për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





