Në kuadër të programit kombëtar të Edukimit përmes kulturës dhe Fushatës Kombëtare për Lexim si dhe duke pasur në vëmendjen, angazhimin e veçantë të Bashkisë së Elbasanit ndaj artit dhe librit, Ministrja e Kulturës Znj. Elva Margariti dhe Kryetari Bashkisë Elbasan z. Qazim Sejdini nënshkruan sot memorandumin e bashkëpunimit për ti dhënë vëmendjen e duhur bibliotekave dhe leximit në këtë Bashki.
Memorandumi sjell një institucionalizim të Lëvizjes Kombëtare për Lexim duke angazhuar edhe qeverisjen vendore në krijimin e kushteve sa më të favorshme për nxitjen e leximit dhe edukimin e brezit të ri përmes artit dhe librit.
Më tej, Ministrja Margariti e shoqëruar nga Prefekti i qarkut të Elbasanit, Z. Gledian Llatja vizituan bibliotekën publike vendore të qytetit, ku Ministria e Kulturës dhuroi 300 tituj librash për fondin e bibliotekës.
Bashkia e Elbasanit është bashkia e parë e inicimit të këtij bashkëpunimi, i cili do të pasojë edhe me bashkitë e tjera në rang vendi.