Një 58-vjeçar është ekzekutuar me tre plumba mëngjesin e kësaj të diele në Vlorë, në afërsi të banesës së tij.
Viktima është identifikuar si Renato Hoxhaj, i cili punonte prej 5 vitesh si roje në një objekt pranë shtëpisë së tij në lagjen “Hajro Çakërri”.
Renato Hoxhaj është qëlluar nga një distancë shumë e afërt, ai ka marrë dy plumba në kokë dhe një në trup.
Paraprakisht mësohet se ai është goditur te shkallët në hyrje të banesës së tij dhe ka qenë bashkëjetuesja e tij, e cila ka dëgjuar të shtënat, në orën 6 të mëngjesit, ndërsa më pas e ka gjetur të vrarë dhe ka lajmëruar menjëherë policinë.
Hoxhaj nuk ishte një emër i njohur për policinë, megjithatë po hetohet nëse mund të ketë pasur probleme në të kaluarën.
Dyshohet se autori apo autorët mund të kenë hyrë edhe nga një rrugë tjetër pas lagjes, e cila ishte pa kamera sigurie dhe në errësirë totale.
Në vendin e ngjarjes kanë shkuar drejtuesi i Policisë Vlorë, Elidon Çela, përfaqësues nga OPGJ, si dhe hetuesit e krimit.
58-vjeçari ishte i divorcuar prej vitesh dhe ishte baba i dy fëmijëve të rritur. Nga banorët njihej si njeri i mirë dhe pa probleme.
/vizionplus.tv