Subscribe

Oliver Ivanoviç, lideri i serbëve të Mitrovicës në Kosovë, është vrarë. Ai u qëllua me silenciator me 4 plumba nga një automjet në lëvizje në rrugën “Sutjeska” në veri të Mitrovicës.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e se martës, rreth orës 8 e 15 teksa ai po hynte në ambientet e partisë që drejtonte, në pjesën Veriore të qytetit. Drejtori i Spitalit Millan Ivanoviç, i cili konfirmoi vdekjen e Ivanoviç, tha për mediat se plumbat kishin goditur pjesën e sipërme të trupit.

 

Ivanoviç u dërgua menjëherë në qendrën spitalore në veri, por sipas prokurorit Shyqyri Syla, nuk i mbijetoi dot plagëve pavarësisht përpjekjeve të mjekëve.

 

Rrethanat dhe autorët e vrasjes nuk dihen ende. Por policia konfirmoi se në vendin e ngjarjes u gjeten katër gëzhoja plumbash. Pak minuta pas atentatit, policia raportoi se jo shumë larg vendit të ngjarjes u gjet një automjet i djegur tip “Opel Astra”, me të cilin dyshohet se e përdoren autoret e vrasjes se Oliver Ivanoviç.

 

Ndërkohë Policia e Kosovës bllokoi zonën ku ndodhi krimi dhe po heton për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nëndrejtori i Policisë Besim Hoti, ka thënë për mediat se policia është duke kontrolluar të gjitha zonat në veri për gjetjen e atentatorëve.

 

Ndërkohe bashkëshortja e viktimës, Milena Popoviç Ivanoviç u tha mediave serbe se është në dijeni se kush qëndron pas atentatit, por nuk ka folur per emra.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *