Ky është momenti kur dy persona qëllojnë me breshëri automatiku nga një makinë në lëvizje 29-vjeçarin Ermir Dedja pak pas mesnate, në lagjen nr. 18 të qytetit të Durrësit duke e lënë atë të vrarë.
Pamjet tregojnë edhe momentet kur njerëzit largohen në panik pas atentatit.
Nga informacionet e para, dyshohet se autorët kanë qenë në gjurmim të të riut. Pasi kanë kryer vrasjen ata janë larguar nga vendngjarja me automjetin që duket në pamje.
Makina tip “Seat” është gjetur e djegur në afërsi të Gerdecit dhe rezulton me targa të vjedhura, ndërkohë në sediljet pas efektivët kanë gjetur edhe një kallashnikov që është përdorur për të kryer vrasjen. Mjeti është marrë nga policia e Durrësit ku po verifikohet numri i shasisë.
Ndërkohë rezulton se i riu është qëlluar sapo ka parkuar makinën e tij tip “BMË”. Në zonë ai kishte miq të tij të cilët janë marrë në pyetje por dëshminë e tyre nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorëve që dyshohet se kanë qenë dy persona.
29-vjeçari qe u bë shënjestër e atentatit ka ndërruar jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.
Një banor i një pallati përballë vendit të ngjarjes ka deklaruar se dëgjoi breshëri arme dhe në fillim mendoi se bëhej fjalë për fishekzjarrë.
Nga dritarja ka parë një person të shtrirë në tokë dhe ka kuptuar se bëhej fjalë për një vrasje.
Sipas tij, pak më vonë mbërritën forcat e policisë dhe më pas autoambulanca që transportoi trupin e të riut drejt Spitalit Rajonal Durrës.
Viktima rezulton person me precedentë penalë. Në vitin 2015, Ermir Dedja është arrestuar pasi i kishte shitur drogë një grupi personash që synonin ta transportonin atë nga pika kufitare e Morinës drejt Kosovës.
Në një tjetër rast, në vitin 2017, ai është arrestuar pasi kishte përkrahur Ismail Nuredinin në një plagosje në Shijak.
Policia po shqyrton pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë për të kuptuar më mirë dinamikën e ngjarjes./vizionplus.tv