Vrasja e 51-vjeçarit Anton Keli mbrëmjen e së martës ka shkaktuar reagimin e Ipeshkvit të Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta.

I revoltuar, ai shkruan se qyteti i Rrëshenit u përgjak sërish nga një vrasje pa autor, ndërsa kritikoi sistemin e drejtësisë sipas të cilit është ende larg atij të një vendi normal europian.

“MJAFT MË ME VRASJE! Qyteti jonë, Rrësheni, u përgjak sërish. Prapë një vrasje tjetër pa autor apo me autor në drejtim të paditur. Për fat të keq, na janë bërë të shumta drejtimet e paditura, në një sistem drejtësie ende larg atij të një vendi normal europian. Janë të tepërta këto pesha që po i ngarkohen shpesh qytetit tonë të vogël, këto kohët e fundit. Kushdo që merr jetën e një njeriu ta dijë se një ditë do të japë llogari. Mund t’i fshihet drejtësisë së njerëzve, mund të humbasë gjurmët, por nuk i fshihet dot gjykimit të Zotit e as gjykimit të ndërgjegjes së vet. Nuk kam fjalë tjetër për ata që kanë gisht në këto punë përveçse: Pendohuni! Kthehuni kah Zoti! Lërjani Zotit gjykimin. Do të vijë një ditë gjykimi i Zotit, në këtë botë e në tjetrën. Nuk do t’i shpëtojë dot askush atij gjykimi. Sa jeni gjallë keni kohë të silleni kah e mira, kah falja dhe paqja. Lum ata që duan paqen dhe urrejnë të keqen, sepse do të quhen bijtë e Hyjit. Mjaft më me vrasje! Mjaft!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *