Subscribe

“Vizion Plus është sot në Shkup të Maqedonisë. Pas meje është një godinë që u ndërtua në gjysmën e dytë të shekullit 15 si një ndërtesë hamami, por sot kjo është Galeria Kombëtare e Maqedonisë, e për 100 vjetorin e mjeshtrit Ibrahim Kodra, mirëpret veprat e tij.”

 

Janë 57 vepra që gjendet në galerinë “Çifte hamam” e shumica e tyre mbërrijnë nga Italia.

 

Koleksioni i veprave që ka mundur të gjejë e të restaurojë kryetari i fondacionit “Ibrahim Kodra”, Fatos Faslliu datojnë që prej kohës kur mjeshtri i madh mbante ende shenjat e shkollës italiane, kur sapo pati mbaruar formimin akademik e deri tek ato që shënojnë post-kubizmin.

 

Në galerinë e Shkupit, në çarshinë e vjetër, dy veprat që tërheqin më shumë vëmendjen janë “Shqipëria fantastike” dhe vepra e tij e fundit, ajo vepër që quhet e pambaruar.

 

Por, nuk janë të paktë ata që ndalojnë edhe te veprat e tij të para, apo kërkojnë mes dhomave të hamamit të vjetër veprat për të cilat kanë dëgjuar e që gjenden sot të shpërndara në të gjithë botën, nga koleksionistë apo artistë që e kanë vlerësuar punën e të madhit Ibrahim Kodra.

 

Disa prej veprave kanë dalë nga fondi i galerisë kombëtare të Kosovës, që gjithashtu ka qenë bashkëpunëtore për të realizuar këtë ekspozitë që nderon mjeshtrin e madh në 100-vjetorin e lindjes së tij.

 

E ndërsa në Shqipëri më shumë flitet për eshtrat e Ibrahim Kodrës, Maqedonia prej një vit punon për veprat që do të ekspozohen deri më 12 qershor në galerinë me histori të Shkupit.

 

Piktori shqiptar vlerësohet në të gjithë botën e gati 2000 vepra të tij janë shpërndarë në Europë. Veprat e tij gjenden në Vatikan, në Dhomën e Deputetëve në Romë, në Zvicër e përtej oqeanit. Botëkuptimi i tij është vlerësuar nga artistë si Picaso e Montale, që më pas u bënë edhe miqtë e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *