Subscribe

Thellësia në veprat e saj të krijon ndjesinë, që përtej çdo emocioni, të ndiesh edhe hapësirën boshe, që duket se shtrihet në pafundësi. Vepra “Galaxy” ishte e para e një cikli që do të bëhej një teknikë e veçantë në të gjithë botën, nën emrin e Tylin Onat. Kjo dhe punimet e 10 viteve të fundit vijnë nga kjo e mërkurë në Galerinë Kombëtare të Arteve. Piktorja turke e konsideron këtë vizitë të parë në Tiranë, si përmbushjen e misionit të saj artistik.

“Kur mbarova akademinë, emocionet e të ekspozuarit ishin të mëdha. Që në fillimet e mia, i vura vetes një qëllim: Nëse publiku nuk vjen dot në galeritë ku ekspozohen veprat e mia, unë do të shkoj tek ata. Ja pse jam sot këtu. Sepse gjendem brenda një qarku emocionesh që dua t’ua prezantoj të gjithëve. Flas për këtë ekspozitë që e kam titulluar “Qark”.”

Bota e veprës së saj është e ndërthurur me ngjyra vezulluese, forma, vëllime dhe dinamizëm që të largon nga e përditshmja. Sepse sapo hyn në galeri, përfshihesh nga emocione të shtresëzuara në telajo.

“Jam e bindur që kushdo që do të shijojë këto vepra, me siguri do të përfshihet, e nëse jo në shtresën e parë të emocioneve, atëherë në zbrazëtinë e tij. Në këtë ekspozitë qark, kam përcjellë një përvojë jetësore plot emocione. Unë vetë jam brenda një qarku emocionesh që përsëriten e përsëriten, sigurisht me ndryshime të vogla’.

Edhe kuratorja Beste Gyrsu pohon se kjo ekspozitë është një qark emocionesh.

“Rrethi është një formë pa fillim e mbarim, është një rrugë pa krye që të bën të lëvizësh pa një drejtim, por sigurisht të ndjesh emocione. E tillë është edhe kjo ekspozitë”.

Tylin Onat është artistja e dytë që ekspozon këtë vit në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe dhuron për publikun shqiptar një nga veprat e saj. Por, përtej faktit se ajo është e emocionuar për këtë vizitë dhe tejet falënderuese për Galerinë dhe stafin e saj, ajri brenda këtij institucioni e ka përfshirë edhe në një gjendje tjetër.

“Të më falni që jam afruar kaq shumë me mikrofonat, por më ka ikur zëri për shkak të ajrit në galerinë tuaj.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *