Subscribe

Një vit më parë, një grup artistësh, Artan Buca, Aurel Nukaj, Julian Dëna, Ermal Baboçi dhe Orlis Vathi shprehnin mbi telajo një vizion personal të dimensionit kohë. Sot, pas një viti ky grup artistësh vjen jo me “Pa kohë”, por me drejtime të përcaktuara. Ekspozita që i bën bashkë është “Kahe”. Të ndarë në tre salla mes pikturës, instalacionit dhe video instalacionit, dinamizmi i kësaj ekspozite përfshin shikuesin në pesë kahe të ndryshme. Një prej tyre është ai i artistit Aurel Nukaj, që i prezanton publikut ciklin e tij të ëndrrave dhe kahun e gjumit. Pranë ngjyrave të qetësisë së Aurelit qëndron piktura e Artan Bucës me peizazhet abstrakte dhe me të orientuar drejt një archi-natyre, tërësisht ndryshe nga koherenca që ofrojnë telajot e Orlis Vathit. Dy sallat e tjera të galerisë vijnë me instalacione. I pari është qelqi që vjen si një vepër që tërhoqi vëmendjen në edicionin e fundit të Onufrit. Ermal Baboçi prezantohet jo vetëm me një vepër por me cikël punimesh në qelq. Një kah tjetër i është edhe puna e artistit Julian Dëna, një videoinstalacioni i një televizioni gjigand si simbol i diktitatit që ai imponon në kuptimin e vetë botës. Kjo ekspozitë me pesë koncepte të ndryshme për “kahet” do të jetë e vizitueshme dhe pa pagesë për publikun deri më 29 prill.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *