Ramadan Kondi, ekspert fiskal i ftuar në emisionin ekonomik E-ZONE evidentoi dy probleme të mëdha të ekonomisë, që sipas tij nuk kanë marrë zgjidhje ndër vite. Ai thotë se asnjë qeveri nuk e ka vënë gishtin në plagë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare, por janë marrë vendime të pjesshme.
“Nëse ka një lëmsh të madh që vijon ende sot e kësaj dite të prodhojë efekte negative është çështja e pronave, konkretisht ligji 7501. Mungesa e qartësimit të titujve të pronësisë është një nga pengesat kryesore për investimet në ekonomi. Sa i përket skemës së pensioneve ka patur rishikime ligjore dhe është premtuar që do të ketë sërish. Por deri më tani nuk është bërë një reformë e plotë e skemës. Ajo do të kërkonte një konsensus të gjerë, por deri më tani qeveritë nuk janë marrë me thelbin, ndaj dhe kemi këtë nivel pensionesh. Por skema kërkon një program konkret për kthimin e emigrantëve në vend”, tha Kondi në E-ZONE.
Gjatë një interviste me gazetaren Rajmonda Lajthia, Kondi e vuri theksin te stabiliteti i ligjeve fiskale. Paqartësia në hartimin e ligjeve, ka prodhuar sipas tij më shumë praktika korruptive nga organet fiskale.
“Ne kemi ndryshime ligjore fiskale çdo vit. Asnjë biznes nuk ka qartësi se kur hap një aktivitet, ai nuk e di si do të vijojë, nga ndryshimet e shpeshta ligjore. Kjo është një çoroditje. Por jo vetëm ndryshimet. Për aq kohë sa nenet e ligjeve hartohen në mënyrë të atillë që lënë vend për interpretim nga zyrtari, atëherë ato nuk bëjnë gjë tjetër, vetëm se prodhojnë korrupsion”, sqaroi Kondi.
Rasti më tipik i çoroditjes fiskale për bizneset është ligji i procedurave tatimore. Ndonëse ky ligj ka 156 nene, ai ka ndryshuar plot 217 herë nga koha e krijimit të tij./vizionplus.tv