Rritja e ujit në kaskadën e Drinit ka shtuar mundësitë e prodhimit të energjisë.

 

Eksperti Dael Dervishi, në një lidhje direkte për edicionin qendror të lajmeve në “Vizion Plus”, teksa fliste për situatën energjike dhe tregun e hidrokarbureve, gjykon që qeveria duhet të rrisë fokusin për prodhimin e energjive të gjeneruara nga burimet e tjera që nuk janë hidrike.

 

“Sa i përket energjisë, jemi me fat që kemi pasur reshje këto ditë. Shqipëria është një vend që varet nga reshjet e shiut për të rritur prodhimin e energjisë. Është një lajm i mirë. Për ta diversifikuar sektorin e prodhimit të energjisë, qeveria duhet të fokusohet edhe në burimet e tjera për prodhimet e tjera të energjisë. Megjithatë, ne varemi totalisht nga energjia hidrike. Edhe investimet që kanë filluar në kaskadën e lumit Drin, edhe këto janë një opsion shumë pozitiv për vendin tonë për të rritur pavarësinë energjetike që ne kemi.”

 

Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama kërkoi nga biznesi të investojë në prodhimin e energjisë me panele diellore. I pyetur nga gazetari Roland Zili se sa realiste eshte kjo nismë, Dervishi tregoi pse OSHEE nuk është e gatshme ta përballojë këtë skemë.

 

“Nuk do të ishte një opsion i keq, por aktualisht OSHEE nuk është e gatshme të përballojë këtë lloj skeme, sepse nuk i kemi sahatët në dy drejtime. Kemi sahat vetëm për energjinë që hyn në shtëpitë tonë apo subjektet. Por jo smart meters që mund të përshtaten për panelet diellore.”

 

Për ekspertin Dervishi, një ent rregullator në sektorin e naftës do të ishte një zgjidhje që nuk do të rriste vetëm transparencën, por do të rregullonte edhe ekuilibrat e tregut.

 

“Ndërhyrja nuk e pasqyron në mënyrë të plotë luhatjen e çmimit në bursat ndërkombëtare, sepse lëvizë me një ritëm shumë të shpejt se çfarë lëvizë çmimi nga bordi që menaxhon çmimet në vendin tonë. Këtu ka një problem me tregun. Tregu jonë nuk e reflekton direkt çmimin e bursës. Vetë fakti që qeveria detyrohet të ndërhyjë, tregon që këtu ka diçka që nuk shkon në tregun tonë. Mbase një ent rregullator në sektorin e naftës do të ishte një zgjidhje që do të rriste edhe transparencën dhe do të rregullonte ekuilibrat e tregut.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *