Subscribe

Brenda vitit 2022, qeveria “Rama3” parashikon që ekonomia shqiptare të shërohet plotësisht nga krizat e shkaktuara nga tërmeti dhe pandemia. Arritja e një objektivi të tillë ka ndarë ekspertët në qëndrime. Zef Preçi është skeptik që rimëkëmbja të mund të ndodhë kaq afër, përsa kohë që fokusi është te shpenzimet e investimet publike dhe jo te mbledhja e të ardhurave.

 

ZEF PREÇI

EKSPERT EKONOMIE

“Rimëkëmbja e ekonomisë pas tërmetit dhe pandemisë mendoj se do të kërkojë më shumë kohë. Shoh me shqetësim faktin se program i qeverisë fokusohet kryesisht në aspektin e shpenzimeve, madje edhe te investimet publike, që fare mirë mund të mbulohen me fondet e Bashkimit Evropian.”

 

Klodian Muço në anën tjetër mendon se performanca ekonomike gjatë 2021 ka qenë mjaft e mirë dhe mundësitë që kriza të lihet pas vitin e ardhshëm janë realiste. Megjithatë, shton eksperti, duhet parë ecuria e pandemisë.

 

KLODIAN MUÇO

EKSPERT EKONOMIE

“Shqipëria edhe gjatë 2021 po performon shumë pozitivisht, ndoshta shumë më mirë sesa pritshmëritë. Edhe në tremujorin e tretë pritshmëritë janë për performancë pozitive sepse kishim një rritje të fluksit të turizmit. Sa i takon krizës në vetvete, duhet parë çfarë do të ndodhë me pandeminë. Nëse virusi do të bëhet më agresiv dhe ekonomia do të mbyllet sërish, me siguri do të kemi një krizë të radhës.”

 

Si Preçi, ashtu edhe Muço bien dakord në një pikë: ulja e borxhit publik është një premtim ambicioz.

 

ZEF PREÇI

EKSPERT EKONOMIE

“Disa investime gjigande si portet dhe aeroportet, hajnë shumë diskutim, veçanërisht sa i takon premtimit për uljen e borxhit publik.”

KLODIAN MUÇO

EKSPERT EKONOMIE

“Shumë ambicioze më duket pjesa e borxhit publik, që qeveria deklaron që do e kalojë në nivelin 60%, duke e marrë në konsideratë që aktualisht e kemi në nivelin 80%.”

 

Që ekonomia të rikuperohet nga kriza, theksojnë ekspertët, qeveria duhet të jetë më e përqendruar në sektorin e bujqësisë, rritjen e pagave jo thjesht si premtim elektoral si dhe tek përmirësimi i klimës së biznesit.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *