Mediat greke kanë zbardhur bisedat e shkëmbyera midis Andon Tefit dhe Armando Lamajt, dy shqiptarëve që ishin protagonistë të një përplasje me armë në lagjen “Kato Patisia” të Athinës, ku 48-vjeçari dhe rivali i tij në botën e errët të krimit e drogës 46 vjeç nga Vlora mbetën të dy të vrarë.

 

Përveç tyre viktimë mbeti edhe një 23-vjeçar, ndërsa të plagosur mbetën edhe dy efektivë policie pasi korçari Tefi i qëlloi me armë gjatë tentativës për t’u arratisur.

 

Realnews rreth 10 ditë pas ngjarjes së rëndë që përgjaku rrugët e kryeqytetit grek ka zbuluar mesazhet e shkëmbyera nga grupet mafioze 24 orë para përplasjes. Mesazhet plot tension janë shkëmbyer pak para masakrës.

 

Në këto biseda rezulton se para sherrit të përgjakshëm, Tefi dhe Lamaj kishin lënë takim për të zgjidhur mosmarrëveshjet që kishin lindur, pas arrestimit të tyre majin e kaluar me një sasi kokaine.

 

Mëngjesin e së shtunës së kaluar, pak orë para sherrit të përgjakshëm, 48-vjeçari Tefi kishte shkuar në një dyqan në pronësi të bashkëkombësit të tij 46-vjeçar.

 

“Po të kërkoj, ku je?”, ka qenë sipas informacioneve mesazhi i parë që i ka dërguar ai Lamajt, pasi nuk e ka gjetur në servisin e tij. “Ja ku jam, nuk po fshihem. Nuk të shoh askund”, ishte përgjigja për 48-vjeçarin.

 

“Eja, hej në mbrëmje ku thamë dhe do të të tregoj”, ka shkruar ndër të tjera Tefi, duke mbyllur kështu orën për takimin që degjeneroi në përdorimin e armëve.

 

“Unë do të jem aty, kujdesu që të jesh edhe ti, jo si herët e tjera kur nuk ishe askund dhe nuk u shfaqe”, u përgjigj 46-vjeçari, për herë të fundit.

 

Dy ish miqtë dhe partnerë në vepra të ndryshme kriminale më në fund shkuan në takimin në rrugën Kourtidou, ku Andon Tefi u shfaq me makinën “Mercedes Benz”, nën shoqërinë e partneres së tij 36-vjeçare.

 

Ndërkohë, Armando Lamaj lëvizte me motoçikletë. Ai është sharë menjëherë nga rivali i tij 48-vjeçar, i cili papritur ka nxjerrë një pistoletë dhe e ka qëlluar.

 

Më pas, rreth orës 9:15 të natës, plumbat filluan të binin si shi, sipas medias greke, pasi pas goditjes së pare me armë nga Tefi janë kundërpërgjigjur menjëherë nga grupi i Lamajt.

 

48-vjeçari për t’u mbrojtur ka zbritur nga makina dhe ka nisur të qëllojë duke plagosur një person të dytë që ka tentuar të arratiset nga vendi i ngjarjes. Megjithatë, ai nuk arriti të shkojë larg, pasi 36-vjeçarja në timonin e “Mercedes Benz-it” ka marrë timonin e makinës, ka ndjekur, ka goditur dhe ka vrarë personin që kishte mbetur i plagosur nga të shtënat.

Leave a Reply

Your email address will not be published.