Subscribe

Kryeministri Edi Rama merr një mesazh të qartë mbështetjeje nga Brukseli për çeljen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë. Presidenti i Komisioni Europian Jan Claude Juncker u tregua i prerë kur tha se nëse Tirana zyrtare do të vijojë me të njëjtin ritëm reformash si ajo në drejtësi, por edhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, do të rekomandohet çelja e negociatave për anëtarësim.

 

“Jam i impresionuar nga progresi që është bërë në Shqipëri. Nëse gjërat do vazhdojnë në këtë drejtim në dy tre muajt e fundit, do rekomandojmë hapjen e negociatave për anëtarësim. Jemi të impresionuar nga progresi në disa fusha, si reforma në drejtësi dhe mbështesim luftën kudër krimit. Jemi shumë të lumtur me çfarë po ndodh në Shqipëri. Nëse do bëhet progres i plotë në muajt e ardhshëm, besoj se do bëhet do t’i propozojmë vendeve anëtare hapjen e negociatave. Varet nga puna që do bëhet, por kam besim. Unë dua që Shqipëria të futet në BE”.

 

“Muajt e ardhshëm do jenë thelbësorë për të hyrë në një fazë të re që është shumë e rëndësishme, nisjen e bisedimeve. Me krenari erdha në Bruksel me rezultate të prekshme. Ajo çfarë mund të them në fund është se e lë Brukselin me bindjen se rezultate duhen arritur. Opinioni publik në Shqipëri do kuptojë mesazhin se është një proces që bazohet tek merita. Të jemi pjesë e kësaj familjeje, por në bazë të rezultateve”.

 

Më herët kreu i Qeverisë shqiptare është takuar me Presidentin e Parlamentit Europian Antonio Tajani, sipas të cilit reformat e ndërmarra lehtësojnë raportin e Shqipërisë me BE.

 

“Unë nënvizova rëndësinë e progresit të Shqipërisë, e cila ka ndërmarrë një seri reformash të rëndësishme, që shkojnë në drejtim pozitiv në anëtarësimin e Shqipërisë në BE. I referohem në mënyrë të veçantë reformës në drejtësi, e cila për ne ka një rëndësi të madhe. Kjo sigurisht lehtëson raportin mes Shqipërisë dhe BE-së”.

 

“Sigurisht jemi shumë koshient për faktin se mbi të gjitha vlen rezultati mbi çdo pjesë të fletores së detyrave të shtëpisë. Jam i kënaqur që Shqipëria sot mund të tregojë se ka bërë hapa të rëndësishme përpara edhe në muajt e fundit. Do të vazhdojmë me të njëjtën këmbëngulje për të arritur në prill dhe në maj me të gjithë çka është e nevojshme për të mundur të kemi akses në tavolinën e negociatave me Europën”

 

Gjatë vizitës në Bruksel, Rama u takua edhe më shefen e Politikës së Jashtme Fererica Mogherini, e cila vuri theksin tek zbatimi i reformave.

 

“Nën lidershipin e tij, Shqipëria ka bërë një punë të jashtëzakonshme, veçanërisht në Reformën e Drejtësisë, luftën kundër drogës dhe korrupsionit, një punë që ne e mbështesim e që duhet të vazhdojë përpara dhe kjo është një punë që mund të hapë rrugën drejt hapave të mëtejshëm të procesit të integrimit në BE.”

 

“Është një kënaqësi si gjithmonë që të vij t’iu takoj, veçanërisht në këtë moment kur ne shpresojmë në një rezultat pozitiv të të gjithë përpjekjeve të përbashkëta me fillimin e negociatave të anëtarësimit. Jam shumë krenar që kam ardhur këtu me më shumë rezultate të mira dhe jam i sigurt që do të kemi edhe më shumë në muajt e ardhshëm”.

 

Brukseli zyrtar e ka bërë të qartë se viti 2018 mund të konsiderohet si pikënisja e negociatave me Shqipërinë për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Vendimmarrja pritet të merret në pranverën e ardhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *