Situata e rëndë e përmbytjeve sipas kryeministrit Edi Rama vjen prej një sërë faktorësh. Përpos kushteve atmosferike dhe infrastrukturës, kreu i qeverisë fajësoi dhe qytetarët për mbjetet e hedhura në kanalet kulluese.
“Ndërkohë që, ne si qeveri, jemi të qartë për nevojën e vazhdimit te investimeve në sistemin mbrojtës të vendit, unë nuk e di fare sinqerisht se si i bëhet harbutërisë ekstreme ndaj natyrës që manifestojmë orë e çast ne si popull! Po troç, ne si popull! Prurjet marramendëse të plastikës nga lumenjtë në këto raste, janë të frikshme, janë të neveritshme, janë kriminale në kuptimin e plotë të fjalës”, tha Rama.
Në serinë e parë të podcastit flasim për vitin 2026, Rama paralajmëroi se për ata që vijojnë me hedhjen e mbeturinave do të ketë masa ndëshkuese.
“Ne si qeveri e si shumicë popullore, sidoqoftë nuk do të dorëzohemi, e do të dalim më tej me masa të reja kundër kësaj fuqie të errësirës në trurin tonë si milet, duke rritur përpjekjet për sensibilizim, informim, por edhe ndëshkim po ashtu. Por në të gjitha rastet është e domosdoshme që gjithësecili të ftillohet sepse kjo që ndodh dhe ajo që i bëjmë ne Shqipërisë, duke hedhur një shishe plastike apo duke hedhur një qese plastike në rrugë ka vetëm një fjalë që e përkufizon, KRIM”, shtoi kryeministri.
Sipas shefit të ekzekutivit, vendi ynë nuk është i vetmi në rajon që po përballet më këtë situatë.
“Ka prekur një hartë të tërë nga Italia në Greqi, nga Mali i Zi në Kosovë e deri lart në Serbi, në Kroaci, e nga Maqedonia e Veriut e deri në Turqi, ku Stambolli përjetoi një situatë filmash apokaliptikë, ku i njëjti i ftohtë, i njëjti shi, e njëjta dëborë e të njëjtat përmbytje e bllokime, kanë krijuar të njëjtën situatë psikologjike për njerëzit”, tha Rama.
Për shkak të reshjeve të shumta dhe përmbytjeve 1587 banesa dhe 3 mijë hektarë toka bujqësore janë mbuluare nga uji./vizionplus.tv





