E mërkurë, 11 Nëntor 2026 Mes'dritë Live deri në 12:00 Në vijim ora 12:00: Lajme Ora 12:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Edhe pse SHBA e shpalli “non grata”, Berisha do të hyjë nesër në Kuvend

Të premten ish-kryeministri Sali Berisha do të hyjë në Kuvend si pjesë e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Lideri i opozitës, Lulzim Basha shmangu për më shumë se një muaj komentet për kërkesën e Shteteve të Bashkuara për përjashtimin e Berishës nga partia; por tashmë është e konfirmuar se Berisha do të jetë në krahun e tij në seancën e parë të Parlamentit.

 

Sipas rregullores së Kuvendit, deputetët kanë afat deri në 15 shtator për të deklaruar se cilit grup parlamentar i përkasin; dhe kjo shënon edhe momentin kur debatet për të ardhmen e Sali Berishës në Partinë Demokratike marrin fund. Por vendimi i kryetarit të PD, Lulzim Basha do të sjellë reagimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pasi ambasadorja Yuri Kim paralajmëroi qartë për izolim.

 

Reklamë

Në sallen e seancave plenare po bëhen përgatitjet e fundit për mbledhjen e parlamentit të ri, i cili sërish do t’i zhvillojë punimet duke respektuar rregullat anticovid. Deputetët do të ruajnë distancën në Parlament dhe trupi diplomatik nuk do të ftohet të marrë pjesë.

 

Seancë e parë që do të zhvillohet në orën 10:00 ka karakter ceremonial. Ajo do të drejtohet nga Luljeta Bozo si deputetja më e vjetër dhe në këtë mbledhje do të ngrihet komisioni i verifikimit të mandateve.

 

Pasdite në orën 17:00 deputetët do të mblidhen sërish për të bërë betimin, duke shënuar kështu zyrtarisht nisjen e ushtrimit të mandatit. Vota e parë që ata do të hedhin është për kandidaturën e Lindita Nikollës në postin e kryetares së Kuvendit.

 

Ndërkohë, dita kur Parlamenti do të mblidhet për të diskutuar dhe miratuar qeverinë e re do të varet nga momenti kur Presidenti i Republikës, Ilir Meta do të dekretojë Edi Ramën si kryeministrin e Shqipërisë.

 

 

 

 

 

Më shumë video

Reklamë