“Easyjet” bën ulje të detyruar në Gjermani për shkak të dyshimeve për terrorizëm

Një avion i cili ishte nisur nga Sllovenia drejt Britanisë së Madhe, është detyruar të bëjë ulje të detyruar pasi piloti u njoftua mbi një bisedë të dyshimtë me përmbajtje terroriste.
Autoritetet kanë vënë në pranga tre persona të dyshuar, të cilët ndodheshin në mesin e 151 pasagjerëve, ndërsa të gjitha fluturimet e tjera u anuluan për 3 orë për shkak të kontrolleve të imtësishme.
Policia hodhi në erë me shpërthim të kontrolluar çantën e shpinës që kishte me vete njëri nga të dyshuarit, ndërsa avioni u inspektua me kujdes.
“Easyjet” sqaroi se vendimi i kapitenit për ta ulur mjetin fluturues në tokë ishte marrë si masë paraprake për të lejuar verifikimet shtesë të sigurisë, me argumentin se siguria e pasagjerëve dhe personelit të fluturimit përbën për këtë kompani prioritetin numër një.




