Çmimet e energjisë në bursa po kapin nivele shqetësuese, duke kaluar mbi 500 euro për MWH, teksa KESH po importon për të ruajtur rezervën hidrike deri në rikthimin e sezonit të reshjeve.

Përballë kësaj situate qeveria ka alokuar 20 miliardë lekë, si injektim kapitali për kompaninë KESH sh.a me qëllim përballimin e kostove për blerje energjie nga importi.

 

Ergys Verdho dha disa detaje gjatë një interviste në E-ZONE në Vizion Plus.

 

“Po flasim për një konsum të jashtëzakonshëm prej 20 mijë MWH në ditë, ku KESH merr masat për sigurimin e kësaj sasie edhe nëpërmjet importit. Dimrin ne do ta kalojmë në një situatë çmimesh të jashtëzakonshme. Në këtë kuadër qeveria ka marrë masat për të injektuar në kapitalin e shoqërisë 20 mld lekë për të përballuar blerjen nga importet. KESH më në fund merr një frymëmarrje më të madhe për të patur likuidite të nevojshëm. Shkaku i likuiditetit lidhet me kompanitë që operojë në treg, të cilat duan të kenë siguri financiare. Nëse nuk do të ketë likuiditet për kompaninë askush nuk do të vijë të ofertojë në Korporatën Elektroenergjitike shqiptare.” – u shpreh Verdho.

 

Deri në mes të korrikut fatura e energjisë për blerje nga importi ka arritur në 210 milion euro.

 

Ndërsa parashikimet janë që deri në fund të vitit me këto çmime ajo të dyfishohet, duke kaluar në mbi 400 mln euro.

 

Por ky parashikim mund të ndryshojë në varësi të reshjeve që mund të sjellë sezoni i dimrit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *