Në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokratike, deputeti Ervin Salianji deklaroi se gabimi i vetëm që është bërë në kampin blu është mosvënia në punë e “vetëpastrimit”. Sipas tij, sot demokratët janë të gatshëm që kjo gjë të realizohet sa më shpejt.

 

Gjatë fjalë së tij, ai theksoi se askush nuk do t’ia dalë të copëtojë PD-në, aq më tepër ta trajtojë si “vegël personale”.

 

“Për herë të parë kam parë që edhe plateja qendrore ishte bosh. Në njërën anë ky Kuvend ndrinte dhe më vinin shumë mesazhe dhe më thonin që si ka mundësi që ky Kuvend ndrin, nga ana tjetër jepeshin pamje nga qoftore. Ky kuvend është në një moment kritik, por në këto vite për PD nuk kanë qenë të rralla. Ky kuvend është kulmor, zhvillohet në një moment vendimtar për Partinë Demokratike. Në një përplasje të qartë mes lindjes dhe perëndimit në Shqipëri. Kushdo prej jush ndihet i nderuar që po bën një betejë të drejtë. Sot shqiptarët emigrojnë më shumë se më parë. Nuk ka asnjë ndryshim sepse shifrat e tregojnë që papunësia është rritur dhe korrupsioni është në nivele alarmante. Kjo është një fatkeqësi kombëtare dhe përgjegjësi kryesor është Edi Rama dhe qeveria e tij. Shqipëria ka pasur për tetë vite qeverinë më të korruptuar. Në këtë kuptim, kjo qeveri duhet rrëzuar. Për tetë vite me radhë jemi përballur me regjimin e qeverisë Rama. Ju që jeni sot në sallë meritoni falenderime. Jam i vetëdijshëm se shumë nga ju kanë vuajtur përndjekjet e këtij regjimi. Megjithatë, të gjitha këto që ne bëmë nuk mjaftojnë për të rrëzuar regjimin e Ramës. Demokratëve u kanë marrë sakrificat dhe mundin. Nuk fajësuam asnjëherë veten, por shoqërinë dhe u ndëshkuam në rezultatet e zgjedhjeve. Sot të gjithë jemi këtu për të reflektuar mbi gabimet në të shkuarën. Të shohim drejt të ardhmes. Muajt e fundit nuk kanë qenë aspak të lehta për demokratët. Shumë prej tyre janë të zhgënjyer, shumë të manipuluar. Prandaj jemi sot këtu të mbledhur në një Kuvend të PD-së. Nuk kanë për t’ia dalë kurrë ta copëtojnë Partinë Demokratike që e trajtojnë si vegël të tyre personale. Gabimi që kemi bërë është që nuk jemi vetëpastruar dhe sot jemi të gatshëm ta bëjmë më shpejt se kurrë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *