Të paktën 21 fëmijë u vranë nga të shtënat në një shkollë fillore në Teksas, thanë autoritetet për median amerikane.
”Numri i të vdekurve u rrit në 21”, ku përfshiheshin dy të rritur, tha për CNN rreshteri i Departamentit të Sigurisë Publike të Teksasit, Erick Estrada.
Personi i armatosur u vra nga forcat e sigurisë, por nuk ishte e qartë nëse ai po llogaritej ndër të vrarët.
Shifrat zyrtare nga policia lokale nuk ishin të disponueshme fillimisht.
Senatori i shtetit të Teksasit, Roland Gutierrez, kishte thënë më herët për CNN se tre të rritur kishin vdekur.
Ai gjithashtu tha se gjyshja e të dyshuarit ishte në gjendje kritike.
CNN më herët raportoi se i dyshuari kishte qëlluar gjyshen e tij përpara se të shkonte në shkollë, duke cituar burime të shumta të zbatimit të ligjit.
Numri i të vdekurve e bën shkollën fillore ”Robb” me numrin më të madh të viktmave, që nga koha kur 20 fëmijë të shkollës fillore ”Sandy Hook” u vranë në vitin 2012.
Guvernatori i Teksasit Greg Abbott kishte konfirmuar më herët se 14 nxënës dhe një mësues u vranë në të shtënat në qytetin e vogël të Uvaldes, rreth 130 kilometra në perëndim të San Antonios.
Policia e Uvalde konfirmoi se i dyshuari, të cilin Abbott e identifikoi si një 18-vjeçar, ishte i vdekur.
Pete Arredondo, shefi i policisë për Distriktin e Pavarur të Shkollës së Konsoliduar Uvalde, tha në një konferencë për shtyp se “incidenti i viktimave masive” filloi rreth orës 11:30.
Arredondo tha se vrasësi besohej se kishte vepruar i vetëm “gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.