6-vjeçarja e sjellë me urgjencë nga Korça mbrëmjen e të dielës në QSUT vijon të jetë në gjendje të rëndë.
E mitura ka djegie në 42% të trupit, të gradës së dytë dhe të tretë.
Vogëlushja me spektrin autik është në gjendje kritike, ndaj po merret parasysh edhe vendimi për trajtim jashtë vendit.
Ajo mbeti e lënduar pas zjarrit tragjik që përfshiu banesën në Maliq, ku humbi jetën nëna e saj dhe vëllai 14-vjeç.
Një ditë pas ngjarjes, përgjegjësi i shërbimit zjarrfikës në Bashkinë Maliqit Sadik Halili tha se ka qenë policia ajo që ka bërë lajmërimin e parë e më pas kanë shkuar menjëherë një vendngjarje.
Ai nuk përjashton mundësinë që vdekja e nënës dhe djalit ka ardhur nga asfiksia
“Për këtë ngjarje është ngritur grupi hetimor pjesë e të cilit jam edhe unë për të gjetur shkakun e zjarrit. Për momentin kemi dy versione: brenda në kuzhinë ka qenë soba me dru zjarri e ndezur ndërsa poshtë në dysheme kemi gjetur disa fije shkrepëse të ndezura. Nuk mund të themi ende pistën përfundimtare”, u shpreh Halili.
Dy fëmijët ishin vetëm në banesë dhe dyshohet se po luanin me shkrepëse në momentin kur shpërtheu zjarri. Nëna ndodhej te fqinjët dhe, kur është kthyer, ka gjetur banesën e mbuluar nga tymi.
Merjeme Hazisllari arriti të nxjerrë vajzën jashtë, por kur u rikthye për të shpëtuar djalin, fatkeqësisht mbeti e bllokuar brenda dhe humbi jetën së bashku me të birin që gjithashtu ishte me aftësi të kufizuara./vizionplus.tv





