Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, ka dhënë dorëheqjen nga detyra. Lajmi është konfirmuar nga gazetarja e Vizion Plus, Elda Canaj.
Mësohet se Sala dorëheqjen e ka dhënë gjatë mbledhjes së qeverisë sot. Pas këtij vendimi, ajo do t’i përkushtohet vendimit shkencor.
Evis Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale më 11 shtator 2025, pas prezantimit të qeverisë “Rama 4” nga kryeministri Edi Rama.
Sala është një emër i njohur ndërkombëtarisht në fushën e radiologjisë dhe imazherisë onkologjike. Përpara marrjes së detyrës si ministre, ajo ishte Profesore e Radiologjisë në Università Cattolica del Sacro Cuore në Romë, Itali.
Deri në shtator të vitit 2025, ajo ka shërbyer si Drejtore e Programit të Trajnimit në Radiologji në Università Cattolica del Sacro Cuore, si dhe Shefe e Departamentit të Imazherisë Diagnostike dhe Radioterapisë në Fondazione Policlinico Universitario Agostino Gemelli IRCCS në Romë.
Më herët, Sala ka qenë Profesore e Imazherisë Onkologjike në Universitetin e Kembrixhit në Mbretërinë e Bashkuar, ku ka bashkëdrejtuar programet Cancer Research UK Cambridge Centre Advanced Cancer Imaging dhe Integrated Cancer Medicine.
Nga viti 2012 deri në vitin 2018, ajo ka mbajtur pozicionin e Profesores së Radiologjisë në Weill Cornell Medical College dhe ka drejtuar Shërbimin e Imazherisë Trupore në Memorial Sloan Kettering Cancer Center në Nju Jork.





