Greqia fqinje po përjeton sërish një dyndje emigrantësh. Autoritetet vendase bëjnë të ditur se më shumë se 240 refugjatë kanë mbërritur në ishujt grekë që prej ditës së premte. Zyrtarët në Athinë shprehen se pas nisjes së ofensivës turke në Siri, kontinenti do të përballet me një krizë të re.

 

Një ditë më parë, në ishujt Lesbos, Limnos dhe Chios, roja bregdetare greke dhe agjencia e BE-së për patrullimin e kufirit, Frontex, kanë shpëtuar 196 migrantë. Ata u regjistruan në kampet e ishujve ku gjenden edhe mbi 32 mijë migrantë të tjerë.

 

Presidenti turk Recep Tayip Erdogan po përballet vazhdimisht me thirrjet e ndërkombëtarëve për të hequr dorë nga operacioni “Pranvera e paqes”në Sirinë verilindore. Ai ka kërcënuar Europën se do të hapë portat për emigrantët nëse nuk lejohet ngritja e një zone sigurie në territorin e banuar nga kurdët të cilët Ankaraja i konsideron terroristë.

 

Më shumë se 100 mijë sirianë janë larguar nga vendi ndërsa janë shtuar mundësitë që terroristët e ISIS të jenë të lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *