Ministria e Shëndetësisë e Irakut njoftoi për dy personat e parë të vdekur si pasojë e sëmundjes që shkakton koronavirusi i ri.

Një grua me sistem të dobët imunitar dhe një burrë që vuante nga sëmundje kronike kanë vdekur të mërkurën në Bagdad, thanë autoritetet.

Ka pasur raporte kundërthënëse edhe për vdekjen e një kleriku 70-vjeçar në rajonin kurd të Sulejmanias.

Zyrtarët kurdë atje kanë thënë se vdekja e tij ishte rezultat i COVID-19 – sëmundjes që shkakton koronavirusi – por Ministria e Shëndetësisë ka thënë se kjo nuk është konfirmuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se Iraku ka raportuar 34 raste të prekura me koronavirus.

Shumica e tyre lidhen me Iranin fqinj, ku sëmundja ka vrarë 107 njerëz dhe ka prekur mbi 3,500 të tjerë.

Ka shqetësime se sistemi shëndetësor në Irak nuk do të ishte në gjendje të përballonte një shpërthim të madh të sëmundjes, pas viteve të luftës, sanksioneve të Kombeve të Bashkuara dhe korrupsionit.

OBSH-ja ka thënë muajin e kaluar se infrastruktura mjekësore në Irak ka “disa zbrazëtira domethënëse”./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *