Dy qytetarë me prejardhje nga Kosova, që u lënduan të dielën në aksidentin rrugor në Kroaci, ndodhen në trajtim intensiv, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje stabile, bëri të ditur ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla.

Dhjetë vetë humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën, kur autobusi që udhëtonte nga Frankfurti për në Prishtinë, doli nga rruga në Sllovanski Brod.

Të lënduarit u dërguan për trajtim në spitalin e këtij qyteti dhe në Zagreb.

Ministrja Gërvalla tha se në organizim e sipër është udhëtimi për në Kosovë i të gjithë atyre që janë në gjendje të udhëtojnë.

“Sapo të jenë kryer procedurat e nevojshme, trupat e atyre që humbën jetën në këtë aksident të tmerrshëm, do të sillen në destinacionin e dëshiruar nga familjet e tyre”, tha po ashtu Gërvalla.

Gërvalla, së bashku me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe zyrtarë të tjerë të Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës udhëtuan të dielën drejt Kroacisë.

Disa prej tyre u kthyen tashmë në Kosovë, ndërsa ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vazhdojnë të qëndrojnë në Kroaci.

Ata janë atje “për të koordinuar tutje veprimet dhe të gjitha masat e nevojshme për kujdesin dhe trajtimin e të gjithë udhëtarëve që janë lënduar në këtë aksident tragjik”, thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës./ R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *