Subscribe

Për herë të parë qeveritë e Shqipërisë dhe Maqedonisë do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët.

 

Dy kabinetet qeveritare  do të takohen të premten në orën 14.30 ne Pogradec ndërsa në orën 16.30, kryeministri Rama dhe homologu i tij Zaev do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp.

 

Kryeministri shqiptar ka bërë të qartë se do të kërkojë vijimin e ndërtimit të Rrugës së Arbrit edhe në Maqedoni. Po ashtu, ne fokus të diskutimeve do të jenë përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe përmes bashkëpunimit të shtuar në fushën e infrastrukturës, ndërtimi i korridorit 8, intensifikimi i shkëmbimit të mallrave dhe shërbimeve si dhe forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë.

 

Në fushën e kulturës dhe shkencës do të nënshkruhet memorandumi përmes Institutit për Trashëgiminë Kulturore dhe Shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë.

 

Gjithashtu, mes dy qeverive do të nënshkruhet një memorandum bashkëpunimi në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, si dhe një marrëveshje për ndihmë reciproke në menaxhimin e emergjencave.

 

Axhenda parashikon që paraditen e së shtunës, të zhvillohet një vizitë në Pustec, ku jeton minoriteti maqedonas.

 

Kjo mbledhje vjen pas takimeve të ekzekutivit të Tiranës me atë të Prishtinës, më 27 nëntor në Korçë. Ndërkohë që më 23 nëntor qeveria e kryeministrit Zaev pati një mbledhje të përbashkët me atë të Bullgarisë në Strumicë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *