Dy prokurorë britanikë në Shëngjin/ Njihen me dosjen e vrasjes së Ardian Nikulajt, do të vendosin për ekstradimin
Dy prokurorë britanikë kanë mbërritur paraditen e kësaj të enjteje në lezhë për tu njohur me dosjen hetimore të vrasjes së Ardian Nikulajt më 19 prill, ku provat e policisë shqiptare implikojnë 4 shtetas britanikë.
Prokurorët anglezë kërkojnë që të njihen nga afër me faktet për të vendosur mbi ekstradimin e personave të arrestuar në Angli me kërkesë të prokurorisë së Lezhës.
Vetëm pak ditë më parë, katër persona që u shpallën në kërkim në Shqipëri u kapën dhe u arrestuan në Londër. Steven Hunt, 49 vjeç, Thomas Mithan, 35 vjeç, të dy nga Bristol, dhe Edmond Haxhia, 37 vjeç, u shfaqën në Gjykatën e Ëestminster të shtunën për procedurat e ekstradimit. Edhe 27-vjeçarja Harriet Bridgeman nga Bristol u paraqitnë të njëjtën gjykatë të hënën.
Edmond Haxhia është cilësuar si porositësi dhe organizatori i atentatit. Portugezi Ruben Saravia ishte ekzekutori i planit. I veshur me jelek fosforeshent ai qëlloi për vdekje me 7 plumba biznesmenin Ardian Nikulaj, ndërsa 4 britanikët e tjerë kishin rolin e vëzhguesit.
I pari që mbërriti më 14 shkurt, ishte portugezi Saravia. Ai ka qëndruar në shtëpinë e Haxhisë, në Kakarriq. Ndërsa britanikët, mes të cilëve, çifti Harry Simson dhe Harriet Bridgeman, kanë ardhur njëri pas tjetrit në kohë të ndryshme, të gjithë duke u shfaqur si turistë.
Hunt mendohet se ka arritur të depërtojë edhe në sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit duke i dhënë grupit mundësinë të vëzhgojë në kohë reale lëvizjet e Nikulajt.
Shkak i vrasjes dyshohet se u bë hasmëria mes familjeve Lekstakaj dhe Nikulaj , e cila e ka zanafillën në vitin 1996 kur palët u përfshinë në vrasje pas një konflikti të çastit në një pikë karburanti .




