Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un ka shtrënguar duart me presidentin e Koresë së Jugut, Moon Jae In në kufirin ushtarak që ndan dy vendet.

 

Në mënyrë simbolike dy liderët janë takuar në të dyja anët e kufirit, duke premtuar kështu një histori të re në marrëdhëniet mes tyre. Kim Jong-Un është udhëheqësi i parë i vendit komunist që viziton Korenë e Jugut që nga fundi i Luftës mes dy vendeve në vitin 1953.

 

Pasi është pritur me një ceremoni madhështore, Kim Jong Un dhe delegacioni shoqërues kanë vizituar shtëpinë e paqes në Panmunjom.

 

“Një histori e re fillon tani “dhe” një epokë paqeje, në pikën fillestare të historisë.”-ka shkruar Kim në librin e miqve. “Unë mendoj se kemi nisur të shkruajmë një histori të re në raport me paqen, prosperitetin dhe marrëdhëniet Veri-Jug”, tha Kim përpara bisedimeve me presidentin Moon Jae In.

 

Bisedimet kanë të ngjarë të përqendrohen në arritjen e një marrëveshjeje për programin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut, që ka përparuar shumë në dekadën e fundit. Përveç adresimit të ambicieve bërthamore të Phenianit, liderët pritet të diskutojnë për një fund formal të Luftës Koreane 1950-53, si dhe çështjet ekonomike dhe sociale.

 

Dy udhëheqësit morën pjesë në një ceremoni ku mbollën një pishë duke përdorur tokën dhe ujin nga të dy vendet, si një simbol i “paqes dhe begatisë”.

 

Ata kanë patur edhe një bisedë private. Ndërsa gjatë pushimit të parë, Kim ka habitur me zakonet e tij. Teksa është larguar me limuzinë, truprojat e kanë shoqëruar me vrap.

 

Samiti do të përfundojë me nënshkrimin e një marrëveshje dhe një deklaratë të përbashkët për shtyp.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *