Subscribe

Të dielën Ardian Muka do të kërkojë fitoren e demokratëve në bashkinë e Durrësit, një bashki të cilën e djathta nuk ka mundur të fitojë për më shumë se dy dekada.

 

Muka garon me koalicionin “Shtëpia e Lirisë”, duke përfaqësuar të gjithë demokratët që u bashkuan rreth Sali Berishës dhe në një intervistë për Vizion Plus, Ardian Muka është i bindur se ai përfaqëson Partinë Demokratike të vërtetë.

 

ARDIAN MUKA

KANDIDAT PER BASHKINE E DURRESIT

“PD është në mbështetje të këtij procesi, që e tregoi me procesin e primareve. Kur them PD dua të them atë te vërtetën ku është anëtarësia. Ku demokratët me votë 1547 vetë votuan dhe vendosën që në këtë garë t’i përfaqësoj unë.”

 

Ardian Muka pranon se sot PD është e përçarë, por ai beson se në 6 mars qytetarët do të dinë të zgjedhin opozitën reale.

 

“E dimë që ka një çarje mes nesh, por unë e di që dhe ajo pjesë e demokratëve, të cilët për momentin po i shkojnë mbrapa deputeti Basha, besoj që kur të vijë momenti që të bëjnë zgjedhjen e tyre do ta hedhin me zemër dhe me ndërgjegje votën aty ku duhet. Pra tek “Shtëpia e Lirisë”, tek emri.”

 

Pavarësisht se situata aktuale është e vështirë brenda kampit opozitar, Ardian Muka beson se fitorja në 6 mars është e arritshme.

 

 

“Zgjedhjet janë garë. Gara është e hapur. Nëse do t’u hymë numrave dhe zgjedhjet e fundit do t’i marrim për baze janë zgjedhjet e 25 prillit, të dyja kampet janë aty-aty. Kanë një diference të vogël votash. Në këtë moment që ne të flasim ato që do ishin humbjet nga të dy krahët, nga PS e PD, por unë kam shpresë që durrsakët pas 22 vitesh do zgjedhin ndryshimin.”

 

Ardian Muka i ka mëshuar gjatë gjithë fushatës idesë së ndryshimit të qeverisjes së bashkisë së Durrësit; duke numëruar çdo ditë gabimet që Partia Socialiste ka bërë në drejtimin e qytetit e duke listuar të gjitha problemet që ai do t’u japë një zgjidhje.

 

Durrësi është një prej bashkive ku është fokusuar puna elektorale e Komisionit të Rithemelimit. Jo vetëm është bashkia ku Sali Berisha ka shkuar pothuaj çdo ditë; por aty po punojnë edhe figurat kryesore të PD: Oerd Bylykbashi, Igli Cara, Albana Vokshi, Agron Shehaj, Ivi Kaso, Belind Këlliçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *