Policia Rrugore e Durrësit ka goditur një tjetër rast të mitëdhënies, duke vënë në pranga një 36-vjeçar që tentoi të korruptonte efektivët për të shmangur kontrollet ligjore.
Gjatë një ndalese rutinë në kuadër të monitorimeve për zbatimin e Kodit Rrugor, shërbimet e Policisë ndaluan shtetasin A. M., 36 vjeç, nga Tirana, i cili po drejtonte një automjet tip BMW.
Menjëherë pas ndalimit, ai ka hedhur nga dritarja një cigare me lëndë narkotike të dyshuar si kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Më tej, shtetasi A. M. tentoi të korruptonte punonjësit e Policisë Rrugore, duke u ofruar 50 euro për të shmangur testin e alkoolit dhe shoqërimin në komisariat.
Testi i alkoolit rezultoi pozitiv, ndërsa dyshohet se ai drejtonte mjetin edhe nën efektin e lëndëve narkotike. Në përfundim të veprimeve hetimore, të kryera në bashkëpunim me Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, 36-vjeçari u arrestua në flagrancë.
Ky është rasti i 26-të i procedimit penal ndaj drejtuesve të mjeteve që kanë tentuar të korruptojnë policinë rrugore për të shmangur ndëshkimin për shkelje të rënda të ligjit.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Durrësit për veprime të mëtejshme.
/vizionplus.tv





