Thellimi emergjent i basenit dhe kanalit hyrës të portit në Durrës është një investim mjaft i rëndësishëm që i hap rrugë ankorimit të anijeve me tonazh të lartë në portin më të madh të vendit. Për ti paraprirë këtij investimi, Autoriteti Portual Durrës ka zhvilluar seancën dëgjimore me publikun në lidhje me prezantimin e raportit të vlerësimit të ndikimit në mjedis gjatë zbatimit të këtij projekti. Dëgjesa publike është drejtuar nga zv.drejtori ekzekutiv i APD, Bujar Dhima, ndërsa në të kanë marrë pjesë edhe drejtori i Administratës së Përgjithshme Detare, Gazmend Tahiri, Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Paulin Ndreu, përfaqësues nga Bashkia e Durrësit dhe nga Agjencia Rajonale e Mjedisit. Eksperti konsulent i Mjedisit Gazmend Zeneli, trajtoi problematikat kryesore me të cilat pritet të përballen investitorët dhe zbatuesit e projektit të thellimit emergjent të basenit dhe kanalit hyrës, ku në thelb është bërë e qartë se gjatë zbatimit të projektit ndikimet në mjedis do të jenë të papërfillshme për dëmtimin e faunës së detit Adriatik.Thellimi i basenit dhe kanalit hyrës të Portit të Durrësit pritet të mundësojë futjen në Portin e Durrësit të anijeve të një madhësie prej 20,000 ton apo anijeve me ngarkesë prej 1,000 kontejnerësh, si dhe ankorimin e tyre në kalatat e portit. Nga raporti i paraqitur rezulton se thellësia e kanalit do të jetë -10.5 metra dhe gjërësia e tij 115 metra. Të pranishmit u ndalën gjatë në vendin e depozitimit, që parashikohet të jetë në zonën detare 7.4 km në jug-perëndim të hyrjes së portit, në një sipërfaqe prej 1.5 me 2 km. Punimet e dragimit (thellimit) priten të realizohen në një sipërfaqe prej rreth 1.2 milion m2, dhe volumi i përgjithshëm që pritet të gërmohet sipas objektivave të projektit pritet të jetë rreth 1.335 milion metër kub.