“Dumani, armik i pluralizmit”, Berisha sulmon kreun e SPAK dhe Ramën: Po synon të shpëtojë Ballukun
Kryetari i PD, Sali Berisha, u paraqit në Prokurorinë e Posaçme për të zbatuar masën e sigurisë “detyrim paraqitjeje”, e cila është vendosur ndaj tij një vit më parë. Ashtu siç ka vepruar sa herë ka kaluar derën e SPAK-ut, Berisha shfrytëzoi praninë e mediave për të sulmuar Prokurorinë e Posaçme.”
“Altin Troplini është armik i egër i pluralizmit! Ligji do të thotë fjalën e tij. Për Pojën e SPAK-ut, Altin Troplini, armikut të egër të pluralizmit politik, gjobëvënësit ordiner të ‘SKAP-it’ të partisë, amnistuesit të krimit monstruoz elektoral, avokatit mjeran të Irena Gjokës me 5 mbiemra”, tha Berisha.
Berisha, i cili është një prej politikaneve që ka sulmuar më ashpër drejtuesin e SPAK-ut, Altin Dumani, preferoi të shmangte komentet për zgjedhjen e pasuesit të tij pas pak ditësh.
“Nuk kam asnjë lidhje, nuk kam asnjë dijeni për asnjërin prej atyre që do zgjidhet. Uroj të jetë i pakapur nga krimi, siç ishte Altin Troplini. Absolutisht unë mbështes çdo prokuror, çdo gjykatës, çdo hetues, çdo polic dhe cilindo që zbaton ligjin”, tha Berisha.
Por në mesditë, retorika e kryetarit të PD ndaj SPAK-ut ndryshoi. Në konferencën me gazetarët në selinë e Partisë Demokratike, Berisha mbrojti SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme, si dhe vendimet e tyre ndaj zv/ kryeministres Belinda Balluku. Berisha replikoi me kryeministrin Edi Rama, duke vënë në dukje se nuk ka asnjë opinion të Komisionit të Venecias kundër pezullimit të ministrave.
“Një gjykatë ka ngritur padi, ka marrë nën hetim dhe më pas ka ngritur akuzë penale ndaj një ministri për një aferë, në të cilën shqiptarët humbën 97 milionë euro, por në dokumentet bazë, 50 milionë euro. Antidemokratike do të ishte nëse do injoronin këtë superskandal të Belinda Ballukut. Antikushtetuese në përmbajtje. Në asnjë nen, Komisioni i Venecias ka qartësuar se pezullimi nuk shkel, nuk cenon kushtetutshmërinë”, tha kreu i PD.
Të martën, Kolegji i Kushtetueses do të nisë shqyrtimin e ankimimit të kryeministrit Edi Rama kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme për pezullimin e numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese do të vendosë vetëm nëse ky ankimim kalon apo jo në seancën plenare, pasi i takon trupës së plotë të gjyqtarëve të vendosin nëse një anëtar i kabinetit qeverisës mund të pezullohet apo jo./vizionplus.tv




