Duke filluar nga e premtja, Urgjenca Kirurgjikale transferohet te Spitali i Traumës
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu njoftoi këtë të mërkurë se ndërhyrjet kirurgjikale urgjente dhe ai i patologjive malinje do të zhvendoset ne Spitalin e Traumes. Ministrja shtoi se aty do të shërbejnë edhe mjekë dhe anestezistë të Spitalit Universitar Nënë Tereza.
“Në zbatim të plani të veprimit të miratuar nga Komitetit Teknik dhe Task Forca, sot ne kemi vendosur që për të lehtësuar kapacitetet e QSUT, për të krijuar zonat sanitare të sigurta për pacientët të cilët trajtohen në spitale jo për COVID-19, që shërbimi i Kirurgjisë së Urgjencës dhe ndërhyrjeve Kirurgjikale për patologjitë malinje, përkatësisht Klinikat 1, 2 dhe Urologjisë në QSUT, të transferohen në Spitalin Universitar të Traumës, duke filluar nga dita e premte, datë 20 Mars.”
Manastirliu pohoi gjithashtu se 27 mjekë dhe infermierë të spitalit të Fierit kanë rezultuar negativë për COVID-19.
“Ne po bëjmë të gjitha përpjekjet e mundshme për të siguruar stokun e nevojshëm të materialeve mbrojtëse për të gjithë personelin shëndetësor dhe brenda javës presim dërgesën e rradhës, ndërkohë që theksoj se personeli është është i pajisur me mjetet mbrojtëse personale në shërbimin shëndetësor. Paralelisht po punojmë për shtimin e numrit të respiratorëve në strukturën e Reaminacionit. Ndërkohë, është dyfishuar kapaciteti i respiratorëve në Spitalin Infektiv në QSUT.”
Ajo deklaroi se brenda 24 orëve të ardhshme do të dalë edhe përgjigjja përfundimtare e testit për kontaktin e parë të pacientit zero, për të konfirmuar përfundimisht mungesën e pranisë së COVID-19 në organizmin e tij. Po ashtu, ministrja e Shëndetësisë deklaroi se po punohet për një plan social në ndihmë të të moshuarve, familjeve në ndihmë ekonomike dhe për personat me aftësi të kufizuara.
“Për të moshuarit mbi 65 vjeç, që nuk kanë familjarë apo fëmijët afër, do t’u mundësohet sipas një plani me mjekun e familjes dhe farmacistin ku shërbehet, ofrimi i medikamenteve në banesë.”




