Kryetari i Bindjes Demokrati, Astrit Patozi këshilloi që ky vit të merret me qetësi sepse do të ketë plot ngjarje që do ta shenjojnë. Patozi tha me ironi se ky vit do të jetë i mbushur me plane për rindërtimin dhe me goditjet e grupeve kriminale. Kreu i BD ironizoi edhe deklaratat e herëpashershme të opozitës jashtëparlamentare se së shpejti do të ketë zgjedhje të parakohshme.

 

“Duhet marrë me qetësi ky vit, se është shumë shpejt për t’u mërzitur. Për ata që gënjehen lehtë është e sigurt se do të jetë i mbushur me ngjarje dhe dukuri të rralla dhe të jashtëzakonshme. Nga njëra anë do të gjëmojnë daullet e rindërtimit prej tërmetit dhe topat e luftës me KÇK-në, ndërsa nga ana tjetër do të bombardoheni me filma me metrazh të shkurtër, videoklipe, por sidomos me premtime për zgjedhje të parakohshme, të cilat janë gjithmonë te pragu i derës, që vetëm në çastin e fundit nuk hapet.”

 

Patozi shtoi në “Facebook” se e njëjta situatë do të vijojë edhe në vitin tjetër, kur të njëjtët politikanë do të grinden për të njëjtat gjëra.

 

“Dalëngadalë do të biem në vitin tjetër me të njëjtat halle dhe me të njëjtët cuba, që i hakërrehen njëri-tjetrit, për faje dhe krime të përbashkëta, gjithmonë duke u ankuar se për të ndryshuar diçka në rendin e punëve në Shqipëri nuk ka asnjëherë kohë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *