Samiti i NATO-s, që po zhvillohet në Madrid, është një përgjigje ndaj kërcënimeve të paraqitura nga Rusia dhe synon të forcojë sigurinë e anëtarëve të saj, deklaroi sot presidenti i Polonisë, Andrzej Duda.

 

Duda po merr pjesë në samitin që po zhvillohet në kryeqytetin e Spanjës, ku të mërkurën, krerët e NATO-s miratuan një Koncept të ri Strategjik për Aleancën, i cili përshkruan mjedisin e sigurisë me të cilin përballet Aleanca, ripohon vlerat e saj dhe shpreh qëllimin kryesor të NATO-s për të siguruar mbrojtjen kolektive të saj.

 

Dokumenti gjithashtu përcakton Rusinë si kërcënimin më të madh dhe të drejtpërdrejtë për sigurinë e aleatëve.

 

Duda tha se deklaratës së liderëve të NATO-s në “minutin e fundit” iu shtuan dy fjali, të cilat ishin të një rëndësie të veçantë për Poloninë. Siç shpjegoi ai, fjalitë kishin të bënin me një dispozitë sipas së cilës vendeve më të përfshira në ndihmën e Ukrainës do t’u ofrohej një trajtim më i veçantë.

 

Ai gjithashtu shprehu besimin se vendet anëtare do të ratifikonin vendimin për t’i siguruar Suedisë dhe Finlandës anëtarësimin në NATO sa më shpejt të jetë e mundur.

 

“Ky do të ishte një fuqizim i rëndësishëm i NATO-s dhe do të ishte veçanërisht i dobishëm për pjesën tonë të Evropës”, theksoi Duda.

 

Sipas presidentit polak, në ditën e fundit të samitit, NATO do të fokusohet në kërcënimet e Rusisë dhe gjithçka që mund të gjenerohet nga kriza e shkaktuar nga agresioni rus në Ukrainë, duke përfshirë një krizë të mundshme ushqimore që mund të prek Afrikën e Veriut.

 

“Ekziston gjithashtu mundësia që mund të ndodhë një valë tjetër migrimi në Evropë dhe të shfaqen kërcënime terroriste”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *