Presidenti serb, Alexander Vuçiç nuk e ka fshehur pasigurinë dhe presionin me të cilin përballet Serbia në një moment kur politika botërore ka pësuar një tërmet balancash, pasi Rusia i shpalli luftë Ukrainës.

 

Presidenti Vuçiç pranoi se situata aktuale favorizon Kosovën, ndërsa Rusia rrezikon të përjashtohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara.

 

“Sot ka më pak mirëkuptim se kurrë për pozicionin e Serbisë dhe popullit tonë kudo në botë. Askush nuk do të dëgjojë se ccfarë ndodhi në vitin 1999. Bazuar në nenin 6 të Kartës së OKB-së, pritet përjashtimi i Rusisë nga organizata. Pas kësaj do të ketë presion mbi Kinën për të ndryshuar Rezolutën 1244 dhe rrjedhimisht nuk do të kemi bazë ligjore që të thirremi në të drejtën ndërkombëtare për të ruajtur integritetin tonë territorial, siç e kemi sot. Dhe më pas do të pasojë njohja e pavarësisë së Kosovës nga ato shtete të NATO-s dhe BE-së që ende nuk e kanë bërë këtë.”

 

Beogradi zyrtar gjithashtu ka shprehur zhgënjimin për mbështetjen e Turqisë sa i takon anëtarësimit të Kosovës në NATO.

 

“Ministria e Punëve të Jashtme të Serbisë ka përgatitur një notë proteste për Turqinë, pasi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi se Turqia do të avokojë për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Sigurisht, ne nuk e shohim këtë si një lëvizje miqësore.”

 

Në takimin e 1 marsit me presidenten Vjosa Osmani, kreu i shtetit turk Rexhep Taip Erdogan, deklaroi se Ankaraja sikurëse në rastin e njohjes së pavarësisë, nuk ka nevojë për lejen e askujt që të mbështesë procesin e anëtarësmit të Kosovës në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *